kontakto | gjuha/kieli:
Ballina >Ëndërra gënjeshtër, s´bëhet realitet

Ëndërra gënjeshtër, s´bëhet realitet

Erdhëm, këtu pa dëshirën tonë. Mund, të ndodh që dikush erdhi për ndonjë arsye personale, por gjithsesi shumica për shkaqe nga më të vështirat, qofshin ato politike, apo ekonomike, ngase politika e Beogradit kishte për qellim, që të bënte jetën të pamundur për shqiptarë, duke përdorur metodat më makabre,  pas instalimit të regjimit ushtarako-policor serb në Kosovë, në fillim të viteve të 90-ta. Erdhëm këtu, fatkeqësisht në të njejtën mënyrë, sikurse shumë të tjerë shkuan nëpër vende të ndryshme. Erdhëm, me bindjen e plotë se do të jemi, vetëm për një kohë të shkurtë dhe se të gjithë do të kthehemi pranë oxhakut dhe votrës sonë.
U mashtruam. Padyshim që u mashtruam, kur mendonim se gjendja do të ndryshoj për të mirë dhe se kthimi do të jetë shumë i shpejtë.
Në një gjendje të tillë, duke menduar vetëm për kthimin, që në fakt ishte i pamundur, ngase gjendja në atdhe, shkonte vetëm duke u keqësuar, ne u gjendëm para një udhëkryqi të madh. Përvec, problemeve dhe vuajtjeve shpirtërore, shumica prej nesh barte edhe problemet e familjarëve që kishin mbetur në Kosovë, të cilët kishin nevojë për ndihmë ekonomike më shumë se kurrë më parë.
Herë, herë harronim veten. Edhe më tutje jetonim,me ëndërrën gënjeshtër, se dita e kthimit po ofrohej. Nuk mendonim shumë për integrimin në shoqërinë e re…
E si të mendonim, kur këtu cdo gjë dukej e huaj, e largët, e ftohtë?! Si të mendonim, në atë kohë, që të bëhemi pjesë e kësaj shoqërie, kur kishim bindjen, se i takojmë vetëm shoqërisë së vendit tonë?! Si të mendonim për integrimin, kur kishim frikën, se përmes këtij procesi do të pësojmë asimilimin dhe humbjen e identitetit kombëtar?! Gjithsesi, problemi dhe rreziku ishte më i madh për gjeneratat e reja dhe fëmijët. Këto ishin problemet, me të cilat ballafaqoheshimi cdo ditë, gjersa koha ecte. Dukej sikur ajo fluturonte… Kaluan vite të tëra dhe duket sikur ato vite shkuan me erën.
E ne… Ne, që atëherë e menduam kthimin, se to të ndodh shumë shpejtë, ku jemi? Ku janë fëmijët tanë? Në Kosovë jo se jo!
Pra, siq po shihet jemi këtu, ku erdhëm atëherë, edhe pse ardhja nuk ishte zgjidhja e jona.
Jemi, këtu dhe mos e thashtë Zoti, por si po duket do të mbetemi këtu… duket, sikur, ëndërra shtrigë ende po na mbanë të zgjuar, kur në mendjet tona, ende shpresojmë për kthim edhe pse numri ynë, është shtuar gati dyfish, nga numri që ishte kur erdhëm në fillim.
Padyshim, që tani para nesh shtrohen shumë pyetje dhe dilema. Mbi të gjitha shtrohet pyetja: Si të veprojmë me fëmijët tanë, shumica e të cilëve kanë lindur këtu? A janë ata të rrezikuar nga asimilimi? Cfarë, duhet të jetë roli i prindërve?
Padyshim,  deshëm apo s’deshëm, integrimi në këtë shoqëri nuk duhet të vihet në dyshim, ngase më nuk janë në pyetje muajtë, por vitet, edhe atë shumë vite bile. Shumica prej nesh, tani janë edhe qytetar të këtij vendi. Nëse, veprojmë drejtë, integrimi nuk do të duhej të rrezikonte identitetin kombëtar, këtu rolin më të madh me fëmijë, duhet ta luajnë prindërit e tyre. Rol, mjaftë të rëndësishëm, duhet të ketë edhe mësimi i gjuhës amtare, si mësim plotësues nëpër shkolla. Fatkeqësisht, në shumë qytete ky mësim nuk organizohet, por c’është më e keqja, ka raste kur në ato vende ku organizohet mësimi, shumë fëmijë nuk i vijojnë orët e gjuhës shqipe. Tash shtrohet pyetja; ku qëndron faji? Pamëdyshje, tek fëmijët JO! Rol, të vecantë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës, do të duhej të luanin edhe Shoqatat e ndryshme, që përmes tubimeve dhe manifestimeve të ndryshme kulturore, do të zgjonin dashurinë tek cdo njëri, për gjuhën, identitetin dhe atdheun. Sigurisht, që në këtë drejtim, cdo njëri prej nesh mund të jep kontributin e vet të cmuar.

Fundi i fundit, kjo është detyrë  jona e shenjtë. Fëmijët tanë duhet të kenë të drejtë të dijnë për historinë e të parëve të tyre, për personalitetet më të njohura të kombit. Besoj, se këto duhet t’ua mësojmë ne, ngase në shkolla, ku ata shkojnë, mësojnë një histori tjetër, e ajo është historia e vendit në të cilin erdhëm, për një kohë të shkurtë, por… ja që ëndërra gënjeshtër nuk u bë kurrë realitet, ngase, ne jemi ende këtu, jetojmë dhe punojmë ende këtu.

Mergim Shpati