Shtyrje! Edhe njëherë shtyrje, si shumë herë më parë! Pritje, pritje, pritje! Deri kur? Ku gabuan shqiptarët? Çfarë bënë ata, që nuk do të duhej të bënin? Ku ndodhemi sot, kur dje ishim të bindur se çështja statusit do të përfundoj shumë shpejtë?! A gjendën shqiptarët sot në sprovën më të madhe historike? A jemi në pozitë edhe më të vështirë se në Vitin 1997? Çfarë duhet të bëjmë sot? Mbase, në këto dhe në shumë pyetje të tjera do të duhej të përgjigjet ”Grupi i Unitetit”.
Nëse analizojmë drejtë gjendjen momentale, në të cilën ndodhet Kosova sot, pashmangshëm shtrohet pyetja; Përse, shqiptarët e bënë luftën çlirimtare? Gjaku i derdhur, jo vetëm në luftën e fundit, por, edhe shumë herave të tjera, besoj se nuk u derdh për një ”autonomi substanciale”, për federatë a konfederatë me ata që na prenë e na sakatuan ndër shekuj, as për coptimin edhe ashtu të coptuar e të cunguar të Kosovës. Dëshmorët e rënë dhanë jetën e tyre vetëm për një ideal, e ideali i përmotshëm i tyre ishte çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës. Ata, heroikisht kryen misionin e tyre hyjnorë. Por, ç’bëmë ne të gjallët gjatë tetë viteve të pas luftës, dhe ç’bëjmë ne sot, që amaneti dhe ideali i tyre të bëhet realitet?!
Pas përfundimit të luftës, ndodhi edhe njëherë mashtrimi. Kësaj radhe nuk na mashtruan të huajtë, nuk na mashtroi as okupatori, ngase lufta çlirimtare e detyroi të shkoj nga kishte ardhur.
Kësaj radhe na mashtruan, ata të cilëve u kishim dhënë besimin, dhe u kishim dhënë votën, na mashtruan njerëzit tanë, ”liderët” tanë. Fatkeqësisht!
Me deklaratat e tyre lakuriqe, krijuan besimin tek populli se pavarësia e Kosovës është punë e kryer, është çështje për të cilën nuk bisedohet dhe vetëm se pritet njohja formale nga ”miqtë” tanë ndërkombëtarë! Po t’i vështrojmë dhe t’i analizojmë këto deklarata, si dhe shumë të tjera si këto, ”liderët” tanë na dalin aq qesharakë, të pa cipë dhe injorantë. Ç’është e vërteta, qesharakë dalim edhe ne vet, sepse ne jemi ata që i vendosëm aty, dhe ne jemi ata që ende i durojmë të jenë aty ku janë. Ne, jemi ata që i lejojmë të jenë aty, ku nuk do të duhej të ishin, kur kemi parasysh dështimet e tyre të njëpasnjëshme prej përfundimit të luftës e gjerë më sot. Në botën normale, aty ku ka ligj dhe përgjegjësi, pas dështimeve, të tillët shkojnë në histori, apo për mashtrime edhe në burg. Si duket ky ligj nuk vlen për shqiptarët!
Politikëbërsit e Kosovës, të bindur në diçka, që vetëm ata e dijnë se në çka!!! tmerrësisht symbyllur besuan, sikur që disa prej tyre besonin edhe para luftës, se me Sërbinë do ta kenë shumë lehtë në bisedime, bile-bile ata thonin se kurrën e kurrës nuk bisedojnë me Sërbinë, por me bashkësinë ndërkombëtare. Gënjeshtër kjo, që dëgjohet edhe sot pas dështimit të planit të presidentit Martti Ahtisaari dhe vazhdimit të bisedimeve edhe për 120 ditë, pas të cilave do të bisedohet edhe së paku 120 ditë të tjera e kështu deri në pafund. Dëgjohen, këtyre ditëve deklaratat bajate të kryetarit dhe të kryeministrit të Kosovës, se nëse në tavolinë hedhet ideja për ndarjen e Kosovës delegacioni i Kosovës do të tërhiqet nga bisedimet! Injoranca nuk ka kufi! Ideja e ndarjes së Kosovës thua që është ide prej djeshit! Duket sikur kryetari i Kosovës dhe kryeministri nuk jetojnë në Kosovë. Çudi! Shtrohet pyetja; kur për herë të fundit kryetari i Kosovës, kryeministri, apo ndonjë politikan tjetër kanë vizituar Zveçanin? Cilat ligje zbatohen në ato vendbanime ku shumica e popullatës është sërbe? Ndoshta, kishte me qenë shumë më prioritare, që së pari të zgjidhen këto çështje të brendshme, e mandej të merrej turr e të futen në bisedime me ”bashkësinë ndërkombëtare”, se me Sërbinë ”liderët” tanë nuk flasin! Pallavra!
Zotrintë e përmendur do të duhej të mendonin njëherë e mirë, se pas luftës çlirimtare në Kosovë, a do të duhej të futej pala kosovare në lojën e bisedimeve apo jo?! Në qoftëse ”liderët” tanë trumbetonin, se për pavarësi nuk bisedohet, përse atëherë u futën aty, prej nga nuk mund të dalin pa pasoja, pa pasoja për Kosovën dhe popullin shqiptar, ngase për nga ana personale e tyre, themi se në Vjenë kaluan mirë, besojmë se mirë do të kalojnë edhe gjatë këtyre 120 ditëve në vijim. Apo, ndoshta u futën në bisedime, për t’i treguar botës demokratike se në ç’nivel të lartë të moderimit kanë arritur politikanët shqiptarë, apo, ndoshta u futën në bisedime për hyrë në histori, se gjoja, janë ata që bënë pavarësinë dhe shtetin e jo gjaku i atyre dëshmorëve që ranë për çlirimin dhe pavarësimin e vendit!
Menduam, shumica menduam se me përfundimin e luftës, gjërat në Kosovë do të ndryshojnë, dhe se më në fund edhe Kosova do të filloj të bëjë hapat e parë foshnjorë për integrim në BE. Këto, mbase ishin edhe deklaratat më të shpeshta shterpe të ”liderëve” tanë, anipse, ato ishin vetëm deklarata gojore, apo me shkrim, ndërsa e vërteta është, se me veprimet e tyre të pakontrolluara, ku si rezultat kemi ngritjen enorme të korrupcionit, mossigurisë, prostitucionit, keqpërdorimit të detyrava zyrtare, e çka jo tjetër, ata vetëm se na largojnë prej këtyre integrimeve.
Ç’ është e vërteta për “realizimin“ e gjithë këtyre të ”arriturave”, ata jo rrallëherë patën edhe përkrahjen e ”miqëve” të tyre ndërkombëtarë.
Tani, kur gjërat rrodhën ashtu si rrodhën, jemi dëshmitarë se shqiptarët edhe njëherë, ndodhen para orës së historisë. Një orë vonesë në shekullin XXI është shumë, është tepër shumë, për ata që përcjellin rrjedhën e ngjarjeve në botën e sotme. Politikanët kosovarë ”brohoritën” për fitoren ende pa e kaluar lumin. Hynë në lojën e bisedimeve dhe bënë lëshime drastike, siq është rasti i decentralizimit në baza etnike, rasti i Mitrovicës dhe komunava tjera me shumicë sërbe, eksterritorialiteti i kishave e monumenteve kulturore, si dhe shumë koncesione të tjera që i’u bënë palës sërbe, e cila duke iu falënderuar naivitetit të politikanëve tanë, arritën që nga agresori më i egër i Europës së pas luftës së Dytë Botërore, të shëndrrohen në viktimë.
Në bisedat e Vjenës, ”udhëheqësit” shqiptarë u treguan shumë zemërgjërë, duke besuar, se kështu do të kënaqin apetitet ekspansioniste të sërbëve dhe duke besuar marrëzishtë në përvetësimin e ”miqëve” ndërkombëtarë. Rezultatet po duken tani. Duke iu falënderuar kësaj klase politike dhe ndihmës së disa ”miqëve” europian kemi prapë shtyrje, kemi prapë bisedime. Por, kësaj radhe sipas ”liderëve” tanë bisedime jo me palën sërbe, por me bashkësinë ndërkombëtare. Avazi i vjetër vazhdon, gënjeshtrat dhe mostransparenca nuk kanë kufi! Shqiptarët u poshtruan, u nënçmuan edhe njëherë.
Mund të themi, me plotë të drejtë se diplomacia shqiptare dhe ajo ndëkombëtare dështuan në rastin e Kosovës. Çka të bëhet, kur dështon diplomacia? Është një pyetje që nuk mund t’i ik askush.
Çka duhet bërë në kohën kur shqiptarët janë të mbështetur për muri, edhe ekonomikisht, edhe politikisht edhe moralisht. Ku është kryetari i Kosovës? Ku është kryeministri i Kosovës? Ku janë anëtarët tjerë të ”unitetit”? A ka Kosova kuvend? A ka Kosova deputetë? Populli i lodhur pret përgjegje prej tyre. Ata, që hynë verbërisht në bisedime, ata nuk mund të dalin prej aty. Dhe është e kotë që të pritet shumë prej tyre. Ata, nuk mund të vendosin, ata, nuk pyetën nga askush.
Kam pasur bindjen, se koha e protestave politike ka përfunduar në vitet e 90-ta. Si, duket llogaria nuk është bërë mirë. Nëse, dëshirojmë që vërtet edhe zyrtarisht të mos ndodhë ndarja e Kosovës, shqiptarët me një zë të njejtë, me një kërkesë të njejtë, në një ditë dhe orë të njejtë duhet të protestojnë edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, në Shkup, Preshevë, Ulqin, Bruksel, Londër, Paris, New York, Helsinki, Stockholm e gjithë andej ku ka shqiptarë. Të ngritet edhe njëherë zëri kundër kësaj padrejtësie, që i bëhet populli shqiptarë. Populli, është ai që duhet të vendosë. Në këtë rast, kur Kosova rrezikohet me ndarje, nuk vendosin vetëm shqiptarët e Kosovës, por barra bie mbi të gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor.
Kanë kaluar kohët, kur me gabimet e politikës shfarosëse të Millosheviqit, përfitonin politikanët shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Sot, si kurrë më parë, shqiptarët duhet vet, me mundin dhe dijën dhe vizionin e tyre të qojnë procesin e pavarësimit deri në fund. Por, jo me shtyreje deri në pafund dhe fatkeqësisht, koha tregoi, se jo edhe me këtë klasë të dështuar politike.
Mexhit Sadiku